Rreth nesh
Me Emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit Mëshiruesit
E gjithë lavdia i takon Vetëm Allahut; salavatet dhe selamet qofshin për të Dërguarin e Allahut!
Më tej:
Allahu i Lartësuar ia zbriti Kuranin robit dhe të dërguarit të Tij Muhamedit ﷺ, që të jetë udhëzues, paralajmërues dhe përgëzues për të gjithë njerëzimin. Atë e solli Shpirti besnik dhe i fuqishëm Xhibrili -alejhis salatu ues selam- nga Allahu dhe e përcolli në zemrën e Profetit besnik dhe të besueshëm, i cili e mori Kuranin me pastërti dhe siguri. Bashkë me Kuranin, Allahu ia shpalli Profetit të Tij besnik ﷺ edhe Sunnetin, i cili është shpjegim, përkufizim, shkoqitje në detaje dhe sqarim për Kuranin.
{وَأَنزَلْنَا إِلَيْكَ الذِّكْرَ لِتُبَيِّنَ لِلنَّاسِ مَا نُزِّلَ إِلَيْهِمْ}
“Ne ta zbritëm ty Përkujtimin (Kuranin) që t’ua sqarosh njerëzve atë që u shpallet.” (enNahl: 44)
Kurani dhe Sunneti janë e gjithë Feja Islame. Ajo që është në to është Islam dhe ajo që nuk gjendet në to nuk është prej Islamit.
Përveç kësaj, Allahu i Lartësuar e ndihmoi Profetin e Tij ﷺ me njerëzit më të mirë, me gjeneratën më të mirë të njerëzimit – sahabet, që ata të jenë ndihmësit, përkrahësit dhe shoqëruesit e tij besnikë. Ata e pranuan Fenë e Allahut dhe e bartën me dinjitet. Ata jetuan bashkë me shpalljen e Kuranit dhe e shoqëruan të Dërguarin e Allahut ﷺ në të gjitha gjendjet. E mësuan drejtpërdrejt prej Profetit ﷺ besimin, adhurimin, kuptimin e Kuranit, normat e Fesë, rregullat dhe ligjet, moralin, devotshmërinë dhe secilën çështje të Islamit që ka të bëjë me jetën e njerëzve në këtë botë ose në Ahiret.
Këtë Islam ata e morën të pastër dhe të kthjellët drejtpërdrejt prej burimit, e kuptuan në mënyrën e drejtë dhe të saktë dhe e zbatuan plotësisht dhe pa shtrembërime; pa teprim dhe pa mangësi. Ata e transmetuan Islamin ashtu siç e morën deri te gjenerata tjetër (tabiinët) të freskët dhe të kthjellët. Sahabet, tabiinët dhe pasuesit e tyre (etbaë ettabiin), ishin pararendësit dhe paraardhësit e muslimanëve – selefët. Këta ishin gjeneratat që i ka lëvduar i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili ka thënë:
((خير الناس قرني، ثم الذين يلونهم، ثم الذين يلونهم))
“Njerëzit më të mirë janë gjenerata ime; pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre.” (Buhariu dhe Muslimi)
Më vonë, në Islam hynë njerëz të llojllojshëm nga prapavija të ndryshme. Shumë prej tyre folën pa dituri, vepruan pa udhëzim ose mësuan pa veprim. Atëherë ndodhi përçarja dhe largimi i shumë njerëzve prej burimeve të sakta dhe ndodhi ajo që kishte paralajmëruar i Dërguari i Allahut ﷺ:
((فإنه من يعش منكم بعدي فسيرى اختلافًا كثيرًا، فعليكم بسنتي وسنة الخلفاء المهديين الراشدين، تمسكوا بها، وعضوا عليها بالنواجذ، وإياكم ومحدثات الأمور؛ فإن كل محدثة بدعة، وكل بدعة ضلالة))
“Kush do të jetojë prej jush pas meje, do të shohë kundërshtime të shumta. Prandaj, kapuni për Sunnetin tim dhe Sunnetin e halifëve të drejtë dhe të udhëzuar! Kapuni fort për të, shtrëngojeni me dhëmballë dhe ruhuni prej shpikjeve në Fe, sepse secila shpikje në Fe është bidat dhe secili bidat është devijim.” (Ebu Davud, Tirmidhij, Ibën Maxhe; hadith sahih)
Megjithatë, Allahu ka shkruar që e vërteta të mos zhduket asnjëherë, deri sa të vijë urdhri i Allahut. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
((لا تزال طائفة من أمتي ظاهرين على الحق، لا يضرهم من خذلهم حتى يأتي أمر الله وهم كذلك))
“Një grup prej Ummetit tim do të vazhdojë i dukshëm në të vërtetën dhe ata nuk do t’i dëmtojë ai që i tradhton, deri sa të vijë urdhri i Allahut duke qenë ata në këtë gjendje.” (Muslimi)
Pra, e vërteta nuk ka humbur asnjëherë, pasi nuk ndodh që i gjithë Ummeti musliman të bëhen unanimë në devijim. Përkundrazi, e vërteta e cila ka ardhur përmes Muhamedit ﷺ është e vazhdueshme dhe e pandërprerë. Mirëpo, ajo fuqizohet në ndonjë periudhë kohore dhe dobësohet në ndonjë tjetër; është e fuqishme në ndonjë vend, e dobët në ndonjë vend tjetër. Ky është ligji i Allahut dhe ligji i Allahut nuk ndryshohet nga askush.
Bashkësia Islame Selefije “Dar el-Hadith” – Shkup synon ta vazhdojë këtë traditë të pandërprerë që nga koha e të Dërguarit të Allahut ﷺ, sahabeve të tij dhe të tjerëve prej selefëve dhe dijetarëve të mëdhenj të Ummetit që kanë punuar për përhapjen e Kuranit dhe Sunnetit në secilën gjeneratë dhe në secilin vend. Kjo bashkësi u themelua nga hoxhallarë të njohur në mejdanin e thirrjes për tek Allahu, të cilët e kanë mbaruar shkollimin fetar në vendet islame, pas konsultimit me dijetarët eminent dhe të thelluar në dituri.
Ajo u themelua në përputhje me normat ligjore të Islamit dhe parimeve të pastra selefije, pastaj duke i përmbushur të gjitha kërkesat e dispozitave pozitive dhe rregullave aktuale ligjore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. BIS “Dar el-Hadith” – Shkup tani më është bashkësi fetare e regjistruar, e ligjshme dhe e legjitimuar në institucionet përkatëse dhe veprimtaria e saj është plotësisht e rregullt dhe e ligjshme.
Synimi themelor dhe baza e veprimit është promovimi i vlerave të larta të Islamit, shpjegimi i Islamit autentik të bazuar në Kuran dhe Sunnet sipas kuptimit të selefëve dhe ngritja e nivelit të dijes dhe njohjes së Islamit të pastër; si dhe promovimi i të mirës dhe lufta kundër të keqes, devijimit, risive në Fe (bidateve) dhe veprave të shëmtuara. Këto synime mund të arrihen përmes themelimit të fuqishëm të institucioneve fetare – xhamive.
Si hap i parë BIS “Dar el-Hadith” – Shkup orvatet të themelojë një xhami, në të cilën do të adhurohet Allahu me Teuhid dhe sipas Sunnetit të Profetit ﷺ, ku do të bëhet mësimi dhe sqarimi i parimeve të pastra të Islamit sipas kuptimi të gjeneratave të para – selefëve dhe do të promovohet mirësia, bashkimi dhe bashkëpunimi në të vërtetën, për të vërtetën dhe sipas të vërtetës.
Mbështetja e jonë e plotë është në Allahun e Lartësuar dhe shpresojmë në ndihmën e Tij; e më pas i ftojmë besimtarët për t’u bashkëngjitur në këtë mision madhështor dhe për të kontribuuar në këtë qëllim të lartë.
E gjithë lavdia i takon Allahut; salavatet dhe selamet qofshin për të Dërguarin e Allahut!